LIBRI - Rrëfime tronditëse

Femrat e dhunuara gjatë luftës në Kosovës

 

Libri i Luljeta Selimit "Rrëfime tronditëse - ka 70 faqe, dhe përfshinë 20 rrëfime tronditëse të dëshmitareve që kanë përjetuar dhunën seksuale, gjatë luftës në Kosovë, dhe duket se kjo dhunë me përmasa mizore ishte planifikuar mjaftë mirë nga regjimi pushtues serbë!

Ky libër është përkthyer në gjuhën angleze, gjermane dhe italiane.

rrefime nga libri

"E vetmja gjë që më ka mbetur janë fëmijët"

 

Në vend të parathënies

 

Dhunimet janë mbase kapitulli më i dhimbshmin dhe më të ndjeshmin në tërë periudhën e luftës së fundit në Kosovë, sepse së paku deri më tani të dhunuarat sikur po mbeten nën hije dhe se kjo e vërtetë duhet të plasohet në opinion sado e dhimbshme dhe e rëndë të jetë ajo. Kjo e vërtetë gjithmonë është e dhimbshme dhe e rëndë, e posaçërisht kur flitet për plagën më të madhe të çdo lufte, për dhunimet. Dhunimet ndodhin në çdo luftë dhe çdokund konsiderohen si krimi më i rëndë i saj. Edhe në të tri luftërat e fundit që ndodhën në rajon, serbë ushtruan dhunime të papara, në Kroaci, Bosnje dhe së fundi edhe në Kosovë. Edhe në Kosovë përveç vrasjeve, dëbimeve, djegieve, rrënimeve,plaçkitjeve, kidnapimeve e burgosjeve ata bënë edhe dhunime. Dhunimet janë të rënda për çdo popull në botë e posaçërisht për popullin tonë,sepse morali është pjesa më e ndjeshme e qenies së tij. Gjatë punës sime në terren, kam parë nga afër se sa të rënda janë përjetimet e të dhunuarave, sa e rëndë është kjo për familjet e tyre, për rrethin dhe për çdo shqiptar. Njerëzit në Kosovë, nga më të rëndomtët e deri tek pushtetarët e saj, iu shmangën dhe u iu ikun b bisedave rreth dhunimeve. Deri në këto vitet e fundit njerëzit sillen sikur këtu nuk kanë ndodhur as luftë, as vrasje, as djegie e plaçkitje as dhunime, as asgjë prej gjëje. Ose edhe më keq, sillen sikur dhunimet kanë ndodhur diku tjetër, e jo këtu, para syve tanë dhe të botës!!! Sot në Kosovë ka femra të cilat pas përjetimit të dhunimit ndodhen në gjendje shumë të vështirë psiko-fizike dhe materiale. Këto femra kanë nevojë për përkrahje, qoftë morale dhe materiale. Ato duan trajtim të vazhdueshëm dhe përkujdesje mjekësore. E di dhe i kuptoj femrat që e kanë të vështirë ta bëjnë këtë, por një gjë duhet ta kenë të qartë: se krimi nuk mund dhe nuk duhet të fshihet sepse ato do të detyrohen një ditë që vetë ta thonë të vërtetën, sepse kjo nuk mund të mbahet e fshehur përgjithmonë. Është në të mirën dhe interesin e tyre dhe prandaj ato duhet të rrëfehen sepse vetëm në atë mënyrë mund ta nxjerrin helmin që mbajnë në shpirt. Për ato plagë që i bartin me vete, të dhunuarat, duhet që, në radhë të parë, vetvetiu të përpiqen të gjejnë shërim sepse gjendja e tyre shëndetësore dhe shpirtërore mund të mbetet me pasoja aq më parë kur dihet se atyre u mungon edhe përkujdesja më elementare profesionale dhe institucionale. Dhe vërtetë, si do shërohet një 14 vjeçare e dhunuar dhe ta dojë sërish jetën? Si të pajtohet me fatin një e re të cilën e ka braktisur i fejuari vetëm pse e dhunuan barbarët serbë. Si do të pajtohet me fatin e hidhur një nënë e re e cila pas përjetimit të dhunimit ka dështuar së linduri dhe nuk do të mund të lind kurrë më fëmijë? Si do të shërohet nëna e cila nuk mund të kthehet tek fëmijët e saj, sepse barbarët e dhunuan në sytë e tyre dhe të anëtarëve të tjerë të familjes? Si mund t’i harrojnë të gjitha këto femra të dhunuara pa ndihmën e gjithëmbarshme të shoqërisë kosovare? Si, si…??? Ndoshta kurrë nuk do t’i botoja këto rrëfime sikur të mos më thoshte një e dhunuar në një mëngjes, se ato përveç se janë të dhunuara janë edhe të braktisura dhe të fyera. Kur unë u përpoqa ta ngushëlloj, ajo më pëshpëriti: “Ne që jemi dhunuar dhe sot vuajmë jemi morali dhe pamorali i të gjithë kosovarëve. Edhe kur jemi në mesin e të gjallëve, ne, sërish ndjehemi të vdekura. Edhe kur ecim rrugës, e ndjejmë peshën e dhunimit, e shohim atë në sytë e njerëzve, të cilët, ndoshta, kurrë nuk do të mund ta imagjinojnë së çfarë kemi përjetuar. Ne jemi plaga e çdo njeriu, vuajtja dhe mungesa e çdo fëmije. Edhe kur njerëzit qeshin, pa kujtuar fare se ne ekzistojmë, ne mendojmë se ata qeshin dhe tallen me tragjedinë tonë. Edhe kur lotojnë, shajnë e pështyjnë edhe atëherë ne jemi pjesa më e dhimbshme dhe më tragjike… Ne sot jemi të braktisura dhe pesha e çdo gjëje që po ndërtohet në Kosovë rëndon mbi ne…. E dimë të gjithë se liria e ka çmimin e lartë dhe se një hise të madhe të atij çmimi e kanë paguar edhe viktimat e dhunimit. Ata që sot shkelin mbi varret e tyre (sepse shumë nga të dhunuarat më pastaj edhe janë vrarë e masakruar), ata që sot shkelin mbi plagët, dhembjet, lotët dhe tragjedinë e këtyre femrave, duhet ta dinë mirë se ato janë pasqyra dhe fytyra e vërtetë e kosovarëve, duhet ta dinë se shkelin mbi pjesën më të dhimbshme të lirisë së Kosovës. Turpi iu mbetet vetëm atyre që e shkelin dhe përbuzin viktimat e kësaj tragjedie të hidhur. Le të kujtojnë vetëm njëherë se si do t`iu dukej sikur kjo t`iu kishte ndodhur atyre më të dashurave, nënave, motrave, grave apo vajzave të tyre të cilat i duan më shumë se sytë e ballit. Duhet ta dimë të gjithë së ato kërkojnë ndihmë, përkrahje dhe trajtim të përditshëm mjekësor, profesional dhe institucional. Le të jetë ky libër vetëm një përpjekje modeste për të zgjuar interesimin dhe përkushtimin më të madh jo vetëm në zbardhjen e të gjitha rasteve të dhunimit por edhe në trajtimin adekuat të viktimave. Mbase do ndesh në thumb të kritikave të llojeve e natyrave të ndryshme, por konsideroj se e vërteta sado e hidhur të jetë duhet të dalë në dritë në mënyrë që të mos harrohet as përsëritet kurrë më. E bashkëndjej dhimbjen me të gjitha ato motra të mia, nëse sadopak ua kamë lënduar shpirtin duke ua rikujtuar sërish të kaluarën e hidhur për çka paraprakisht ju kërkoj falje dhe mirëkuptim. Autorja e librit „ Rrëfimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë “, njëherit edhe drejtoresh tek Shoqata humanitare e gruas “Jeta në Kastriot”

OJQ Jeta në Kastriot | Design by europa-design.com